
Bashkëpunimi shtetëror: Nga mbrojtja dhe siguria kibernetike, te shëndetësia
Në dekadën e fundit, bashkëpunimi Shqipëri–Izrael është intensifikuar kryesisht në nivel shtetëror, me shumë marrëveshje pas vitit 2015.
Intensifikimi i marrëdhënieve shtetërore
Në dekadën e fundit, bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Izraelit është thelluar ndjeshëm, sidomos pas vitit 2015, përmes një sërë marrëveshjesh dhe memorandume mirëkuptimi në fusha strategjike si mbrojtja, shëndetësia, siguria kibernetike, turizmi dhe arsimi. Krahas projekteve të para të rëndësishme të investimit privat, marrëdhëniet shtetërore kanë mbetur boshti kryesor i këtij bashkëpunimi.
Shëndetësia dhe mjekësia
Në mars 2025, ministri izraelit i Shëndetësisë, Uriel Busso, dhe ministrja shqiptare e Shëndetësisë, Albana Koçiu, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në shëndetësi. Marrëveshja parashikon:
-zhvillimin e projekteve mjekësore;
-nxitjen e inovacionit dixhital;
-përmirësimin e gatishmërisë ndaj emergjencave;
-shkëmbimin e përvojave në menaxhimin e pandemive;
-respektimin e të drejtave të pacientëve.
Palët janë zotuar gjithashtu të forcojnë kërkimin mjekësor dhe zhvillimin e teknologjive të reja, duke ndërlidhur institucionet e kujdesit shëndetësor me sektorin privat.
Një vit më parë, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” firmosi marrëveshje me Sheba Medical Center në Izrael për forcimin e shërbimeve onkologjike. Projekti përfshin trajnime në Izrael, programe bursash dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për menaxhimin e rasteve të ndërlikuara.
Mbrojtja dhe aviacioni
Në 2025, kompania shtetërore KAYO sh.a. nënshkroi marrëveshje me gjigantin izraelit të teknologjisë ushtarake Elbit Systems Ltd për ringritjen e Shkollës së Aviacionit në Vlorë. Projekti synon përgatitjen e pilotëve ushtarakë dhe civilë, si dhe trajnimin e kontrollorëve të fluturimit, duke forcuar kapacitetet kombëtare në mbrojtje dhe aviacion civil.
Sipas KAYO, kjo nismë do të ulë kostot e trajnimit, do të garantojë certifikim të pavarur dhe do të përmirësojë ndjeshëm infrastrukturën e edukimit në këtë fushë.
Turizmi dhe bashkëpunimi kulturor
Vitin e kaluar, ministrat e Turizmit të Shqipërisë dhe Izraelit firmosën një deklaratë të përbashkët, me synim rritjen e mbështetjes dhe shkëmbimeve në këtë sektor strategjik.
Siguria kibernetike
Që prej vitit 2023, dy vendet kanë një memorandum mirëkuptimi në fushën e sigurisë kibernetike, i cili përfshin:
-shkëmbimin e informacionit mbi politikat dhe incidentet;
-zhvillimin e burimeve njerëzore;
-promovimin e sipërmarrjeve të përbashkëta me industrinë dhe akademinë;
-ngritjen e kapaciteteve kombëtare për sigurinë dixhitale.
Marrëveshjet e mëparshme
Gjatë periudhës 2015–2022 janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh mes institucioneve publike të të dy vendeve, që përfshijnë:
-nxitjen e investimeve;
-shmangien e tatimit të dyfishtë;
-bashkëpunimin në shëndetësi, siguri, arsim dhe shkencë. /Monitor(https://monitor.al/bashkepunimi-shteteror-nga-mbrojtja-dhe-siguria-kibernetike-te-shendetesia/)
Më të lexuarat








